Main » 2010 June 1 » Strategjia për veriun po vonohet
1:23 PM Strategjia për veriun po vonohet | |
Prishtinë, 1 qershor – "Angazhimet në fushat e tjera” kanë bërë që Qeveria e Kosovës ta lërë anash kryerjen e obligimeve që i dalin nga strategjia për veriun, shkruan sot "Koha Ditore”. Plani që synon shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës edhe në veri të vendit Kosovës, parasheh një varg obligimesh për Qeverinë, mes tjerash, edhe krijimin e disa grupeve punuese dhe ndarjen e një fondi për implementimin e planit. Përderisa grupet punuese janë formuar vetëm në letër, Qeveria e Kosovës ende është duke e planifikuar një konferencë donatorësh, ku pretendohet që të mblidhen rreth 4 milionë euro që do të përdoren për projekte të ndryshme në veri të vendit. Me gjithë vonesat, Qeveria e Kosovës nuk e pranon se ka hequr dorë nga strategjia, duke qenë të bindur se së bashku me Zyrën Civile Ndërkombëtare do të arrijnë që të zbatojnë planin. Edhe Qeveria e Kosovës, por edhe ICO-ja, pranojnë se zgjedhjet e Serbisë të mbajtura në dy komunat veriore e kanë sfiduar strategjinë për veriun, mirëpo askush nuk ka hequr dorë nga zbatimi i këtij plani. Kryeministri Thaçi, pas një takimi që ka pasur të hënën me disa zyrtarë kosovarë, ka thënë se "të gjitha angazhimet e institucioneve të Kosovës sa u përket zhvillimeve të së dielës kanë qenë të koordinuara me autoritetet ndërkombëtare”. "Ne do të punojmë maksimalisht për implementimin e strategjisë së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për sundimin e ligjit, për organizimin e zgjedhjeve në tri komuna të reja dhe aspektet socioekonomike”, ka thënë Thaçi, i pyetur nëse po zbatohet strategjia. Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë për "Kohën Ditore” se Qeveria e Kosovës nuk e ka humbur besimin te mbështetja ndërkombëtare për veriun. "Është e vërtetë se strategjia është sfiduar, por ne e dimë se do të ketë sfida edhe më të mëdha. Mirëpo, ne jemi të bindur se fuqia jonë institucionale dhe mbështetja ndërkombëtare do të jenë më të forta se pengesat që vijnë nga Beogradi”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është në koordinim me faktorin ndërkombëtar për organizimin e konferencës së donatorëve për gjetjen e mjeteve financiare për investime në veri. Sipas Kuçit, projektet e deritanishme nuk kanë mbetur pa u realizuar për shkak të mungesës së parave, ngase "ka pasur mjete rezervë për veriun”. "Sërish po e përsëris se ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë edhe në këtë aspekt”, ka thënë Kuçi. Ky zëvendëskryeministër ua ka lënë "fajin konsultimeve” edhe për mosfunksionalizimin e grupeve punuese për veriun. "Jemi në koordinim me ICO-në, janë disa grupe në kuadër të Grupit ndërministror për decentralizim, ne presim që të kompletohen ato edhe me përfaqësues të ICO-së, por edhe të opozitës dhe shoqërisë civile”, ka thënë Kuçi. Ndonëse zyrtarët e asnjërit institucion nuk e pranojnë, në prolongimin e punëve rreth strategjisë, kanë ndikuar edhe raportet e ftohura mes shefit të ICO-së Pieter Feith dhe shefit të Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi | |
|
Total comments: 0 | |