Welcome, Guest! Registration RSS

My site

Wednesday, 2024-11-27
Main » 2010 » May » 30 » Shmanget konflikti ndëretnik tek ura e Ibrit
5:02 PM
Shmanget konflikti ndëretnik tek ura e Ibrit

Mitrovicë, 30 maj - Njësia speciale e Policisë së Kosovë  ka përdorë gazin lotsjellës në urën kryesoret mbi lumen Ibër, të dielën në mesditë,  për të sprapsur një turmë të serbëve që ishin nisur në drejtim të një tume të shqiptarëve,  e ndaluar nga njësi të policisë në cepin jugor të urës. Pas shumë viteve edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it për një kohë janë vendosur në mesin  e urës kryesore mbi lumen Ibër për të shmangur një përplasje mes grupeve protestuese shqiptare dhe atyre serbe. Më vonë, në urë janë paraqitur edhe njësi speciale të policisë së EULEX-it me mjete të blinduara.

Në orën 12 si ishte paralajmëruar ka nisur protesta e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së me moton "Të mbrohet sovraniteti i Kosovës" kundër zgjedhjeve serbe, që po mbahen në pjesën veriore të qytetit, nga  Serbia. Mbi 1 mijë protestues  të tubuar fillimisht në sheshin e Jasharajve me pankarta në duar ”Të mbrojmë sovranitetin e Kosovës” kanë filluar të defilojnë nga ky shesh në drejtim të sheshit ”Isa Boletini”, që gjendet afër urës kryesore mbi lumin Ibër. Protestuesit me moton për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës kanë varur vetëm flamurin kombëtar, por jo edhe flamurin shtetëror të Kosovës. Gjatë defilimit ata kanë brohoritur  "UÇK, UÇK” si dhe kanë kënduar këngën "Besa, Besë”.

Ndërkohë, edhe një grup serbësh kanë dalë matanë Ibrit duke protestuar në anën e tyre si dhe duke brohoritur "Serbia , Serbia”.

Në këtë tensionim ka rrëshqitur nga binarët mënyra  e protestimit, pasi derisa Muharrem Xhemalji po mbante një fjalim para protestuesve, një pjesë e tyre morën rrugën në drejtim të urës së Ibrit, ndërsa që  policia speciale e Kosovës u ka dalë përpara dhe nuk i lejoi të kalojnë urën.

Kryetari i SHVL-së, Xhemajli ka apeluar që të mos shkohet në drejtim të urës, por thirrjet e tij nuk kanë pas sukses, pasi numër i madh i protestuesve ia mësynë urës kryesore mbi lumin Ibër.

Rreth orës 12:30, një sirenë  e alarmit është lëshuar në pjesën veriore të qytetit e cila ka tubuar qindra serb tek cepi verior i urës. Në krye të protestuesve kanë qenë të ashtuquajturit përfaqësuesit radikal serb, Nebojsha Joviq dhe Marijan Ilinqiq.   Para turmës serbe ka pas forca shumë të vogla policore, kryesisht disa pjesëtarë të policisë së Kosovës nga stacioni verior dhe një numër i vogël i pjesëtarëve të EULEX-it që kanë qëndruar anash urës.

Kryetari i KSN-së për Mitrovicën, Nebojsha Joviq,  që u printe protestuesve ka dhënë një ultimatum pjesëtarëve të EULEX-it që nëse për 15 minuta nuk largohen turmat e shqiptarëve do të ketë incidente.

Në ndërkohë pas thirrjeve  dhe kërcënimeve të Joviqit dhe Ilinqiqit, disa serb kanë filluar të sulmojnë  gazetarët shqiptarë në urë dhe kjo ka pas si pasojë fillimin e incidentit me pasoja me të mëdha.

Serbët që kanë filluar të sulmojnë gazetarët shqiptarë kanë vënë në shënjestër edhe komandantin e stacionit policor të veriut kapitenin, Milija Millosheviq, që ka mbrojtur një kameraman  shqiptar.

Turma e serbëve që ka ndjekur gazetarët shqiptarë, meqenëse nuk kishte kordon policor kanë  filluar të gjuajnë gur në drejtim të protestuesve shqiptarë duke bërë që edhe shqiptarët të kundërpërgjigjen .

Një protestues serb me flamurin e Serbisë është afruar shumë afër turmës së shqiptarëve para se cilës ishte kordoni i madh policor i njësive speciale. Policia e Kosovës për të evituar përleshjen ndëretnike ka përdorur gazin duke sprapsur turmën serbe në cepin verior.

Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, ka deklaruar  se njësitë speciale për kontrollim të turmës nga Polica e Kosovës kanë arritur të ndalin ndonjë konflikt të mundshëm.

"Njësitë speciale për kontrollim të turmës nga Polica e Kosovës, në bashkëveprim me njësitë tjera dhe me ndihmën e KFOR-it, kanë arritur t’i zmbrapsin të dyja grupet.  Me rëndësi është që nuk erdhi deri te kontakti fizik mes të dy grupeve shqiptare dhe serbe. Situata kishte tension të një niveli të lartë, por sidoqoftë është arritur të vihet situata nën kontroll. Deri më tash nuk kemi informacione për persona të lënduar nga të dyja palët”, i ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar  se përdorimi i gazit lotsjellës ka qenë i domosdoshëm.

"Është dashur që policia të vë në përdorim gazin lotsjellës në një masë mjaft të vogël për t’i detyruar protestuesit që të shpërndahen në të dy anët”, ka shpjeguar Hoti.

 Pas kësaj në urë  rreth orës 12:40 kanë ardhur njësitë e KFOR-it dhe të njësiove speciale të policisë së EULEX-it.

Më pas në pjesën veriore janë dëgjuar breshëri të shtënash nga armët automatike që serbë i kanë përcjellë me brohoritjet "Serbia, Serbia”.
Pas disa bisedimeve që përfaqësuesit serb Joviq e Ilinqiq i kanë bërë me zyrtarët e EULEX-it si dhe bisedimeve në pjesën jugore mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it me organizatorët e protestës, ka filluar shpërndarjen e protestuesve në dy drejtimet. Rreth orës 13.30 të dyja turmat kanë filluar të shpërndahen.
Category: Lajme | Views: 1087 | Added by: bannqe | Rating: 5.0/1
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *: