11:44 PM Meta priti ambasadorin e EBA | |
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, Abdelhadi Alkajah, rezident në Athinë, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Gjatë takimit u vlerësuan niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi për zhvillime të reja në të ardhmen në rrafshin ekonomik dhe kryesisht në fushën e investimeve. Treguesi konkret është dhe hapja së shpejti e Ambasadës së Shqipërisë në Abu Dhabi. Meta shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që pala emiratase ka dhënë lidhur me financimin e projekteve me rëndësi për Shqipërinë, siç është edhe financimi i ndërtimit të Aeroportit të Kukësit. Po ashtu, Meta e falënderoi për angazhimin e EBA Arabe për të financuar një pjesë të rrugës së re Tiranë-Elbasan, përmes fondit të Abu Dhabit. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e Qeverisë shqiptare për kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, duke ndaluar posaçërisht në njohjen që i është bërë nga ky vend shtetit të Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori Alkajah theksoi se miqësia mes dy popujve do të konsolidohet më tej dhe siguroi për gatishmërinë e qeverisë emiratase për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik midis dy vendeve si në planin dy palësh dhe atë shumëpalësh. | |
|
Total comments: 0 | |