12:39 PM Masakra e Srebrenicës mbetet një hije e zezë e Drejtësisë Ndërkombëtare | |
Autor: Erhan TÜRBEDAR Më 11 korrik u përkujtua 15-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës. Në ceremoninë përkujtimore, ku morën pjesë me dhjetëra-mijëra njerëz, në varrezat monumentale në afërsi të Potoçari-të u bë varrimi i eshtrave të 775 personave. Në saje të analizave të ADN-së bërë nga ana e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, deri më tani janë identifikuar trupat e 6 mijë e 481 boshnjakëve nga Srebrenica. Komisioni në fjalë supozon se numri i boshnjakëve të Srebrenicës të vrarë në korrik të vitit 1995 është 8 mijë e 100 persona. Ato që ndodhën në Srebrenicë janë ngjarja e vetme që pranohet si gjenocid mes krimeve të kryera në 60 vitet e fundit në kontinentin e Evropës. Për këtë arsye kjo është njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme që njollosi qëndrimin e shoqërisë ndërkombëtare. Gjatë viteve të Luftës së Bosnjës, Srebrenica ishte një qytet që u shpall "zonë e sigurt” nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me qëllim mbrojtjen e civilëve boshnjakë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Rezoluta numër 836 e datës 4 qershor 1993 të KS të OKB-së parashikonte mbrojtjen e zonës së sigurt dhe rrethinave nga sulmet e mundshme si dhe përdorimin edhe të forcës nga ana e trupave të OKB-së, madje edhe mbështetje ajrore në rast se do të kishte nevojë apo kërkohej. Por, as numri i trupave të OKB-së të dislokuar në Srebrenicë, e as armatimi që posedonin ato nuk mjaftuan për të garantuar sigurinë në Srebrenicë. Besohej që shpallja e Srebrenicës si zonë e sigurt dhe dislokimi i trupave të OKB-së në këtë zonë do të mjaftonte për mbrojtjen e Srebrenicës. Por kjo ishte një zhgënjim i madh. Më 6 korrik 1995 serbët nën komandën e Gjeneralit Ratko Mlladiç sulmuan Srebrenicën. Pavarësisht këtij sulmi, mekanizmi i paraparë për të mbrojtur zonën e sigurt nuk vendos në aksion. Batalioni holandez përgjegjës për sigurinë e Srebrenicës mbajti një qëndrim pasiv për arsye të 30 ushtarëve holandez që mbanin peng serbët. Kur serbët kërcënuan se do të vrisnin ushtarët holandezë, Përfaqësia e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Bosnjë pengoi sulmet ajrore ndaj pozicioneve serbe. Kështu Mlladiçi më 11 korrik 1995 arriti të hyjë në Srebrenicë. Si përfundim "zona e sigurt” u shndërrua në "zonën e vdekjes së sigurt”. U lejua masakrimi i 8 mijë boshnjakëve në këmbim të 30 ushtarëve holandezë. Kështu për herë të parë në histori u realizua një gjenocid para syve të botës. Sot varri i madh monumental në Potoçari në të vërtet është një luginë e dëshmorëve boshnjakë. Qeveria e Holandës, e kryesuar nga Wim Kok në shenjë gjesti dha dorëheqje për shkak të neglizhencës në Srebrenicë. Në Holandë, në dhjetor 2006 ushtarët që e braktisën Srebrenicën në duart e serbëve boshnjakë u nderuan me medalje. Afërsisht 4,5 vjet pas masakrës së Srebrenicës, Sekretaria e Përgjithshme e OKB-së përgatiti një raport në lidhje me Srebrenicën. Në raportin e publikuar më 15 nëntor 1999 thuhet se: OKB-ja ka bërë shumë gabime në Srebrenicë, ka bërë parashikime të gabuara në lidhje me zhvillimet dhe si përfundim nuk arriti që t’u garantojë siguri të mjaftueshme banorëve të Srebrenicës. Ndërsa një komision i serbëve të Bosnjës për Srebrenicën vlerësoi se numri i atyre që morën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt ose indirekte në gjenocidin e Srebrenicës është 25 mijë. Në ditët e sotme disa nëna janë kthyer në Srebrenicë. Këto nëna që harruan të gëzojnë bukuritë e jetës, e vazhdojnë jetën në pikëllim të thellë me shpresën se një ditë do ti gjejnë kufomat e të afërmve të tyre. Boshnjakët besojnë se të gjitha të këqijat që ndodhën në Bosnjë janë përgatitur në vendet fqinje, Serbi e Mali të Zi, dhe se të gjitha luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë janë menaxhuar nga udhëheqja e Sllobodan Millosheviçit në Beograd. Për këtë arsye boshnjakët bazuar në padinë e Bosnje-Hercegovinës ndaj Serbisë për gjenocid e vlerësojnë si të pamjaftueshëm vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të marrë më 26 shkurt 2007.
Nëse duhet të rikujtojmë, në vendimin në fjalë thuhet se "gjenocidi është kryer vetëm në Srebrenicë” dhe se përgjegjëse për këtë krim ishte "ushtria e serbëve të Bosnjës”. Për shkak të mungesës së dëshmive të mjaftueshme vdekjet civile jashtë Srebrenicës nuk u cilësuan si gjenocid. Për sa i përket Serbisë, ky vend nuk u ngarkuar me përgjegjësi për asnjërën prej çështjeve për të cilat parashikohen ndëshkime efektive të shkruara në nenin 3 të Konventës për Gjenocidin. Serbia u akuzua vetëm për mos zbatimin e dispozitës së pengimit të autorëve të gjenocidit dhe për mosarrestimin dhe dorëzimin e këtyre autorëve në "Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë”. Boshnjakët nuk janë të kënaqur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe besojnë se në vendimin e shpallur dominon ana politike. Njohja e së vërtetës në lidhje me Luftën e Bosnjës nga pikëpamja e viktimave të luftës dhe të afërmve të tyre është e rëndësishme për të krijuar një ndjenjë të drejtësisë, qoftë kjo ndjejë edhe e vogël. Sepse procesi i paqes në Bosnjë nuk do të përfundojë pa drejtësi. Në anën tjetër pa u qartësuar faktet në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës do të hidhet hije mbi të drejtën ndërkombëtare dhe drejtësinë. /TRT/ | |
|
Total comments: 0 | |