Welcome, Guest! Registration RSS

My site

Wednesday, 2024-11-27
Main » 2010 » May » 30 » KPJ: Prishtina ka nevojë për një strategji të mirëfilltë për veriun
12:57 PM
KPJ: Prishtina ka nevojë për një strategji të mirëfilltë për veriun

Prishtinë, 30 maj – Klubi për Politikë të Jashtme ka vlerësuar të shtunën se Strategjia për veriun e Kosovës deri tash vetëm sa ka dëshmuar se në të vërtetë nuk ekziston një plan i mirëfilltë i Prishtinës për zgjidhjen e problemi të veriut. Kjo strategji, sipas Klubit, po ashtu ka nxjerrë në pah përçarjet që ekzistojnë te faktori ndërkombëtar në lidhje me veriun, por edhe me Kosovën në përgjithësi.
Në edicionin e fundit të "Periskopit”, këtij publikimi të rregullt të KPJ-së, ky trup ka botuar analizën e titulluar: Strategji pa strategji, kushtuar Strategjisë për veriun e Kosovës, bashkëhartues të së cilës janë Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës.
Dy anëtarët KPJ-së, Ardian Arifaj dhe Ylli Hoxha, duke folur për analizën, u kanë rekomanduar institucioneve të Kosovës që të dalin urgjentisht me një strategji të mirëfilltë për veriun e Kosovës.
"Jo një dhjetëfaqësh me listë dëshirash, por Prishtina ka nevojë për një strategji të mirëfilltë për veriun: çka duhet bërë me veriun, si duhet qasur veriut dhe si duhet ndërruar gjendja në veri”, ka vlerësuar Arifaj. Ai ka thënë se strategjia, siç është tani, nuk ka shumë pak të dhëna, për atë se si do të ecet përpara, edhe nga ana e ICO-së, edhe nga ana e institucioneve të Kosovës.
KPJ-ja ka kritikuar qasjen e këtij dokumenti kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e komunitetit ndërkombëtar në veri.
"Mungesa më e madhe është dështimi për t’i bërë për vete ata që munden ta ndërrojnë situatën, që janë prezentë atje dhe që mund të ndikojnë për situatën në veri: KFOR-i, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian”, ka theksuar Arifaj. "Asnjëra prej këtyre të triave nuk e ka pranuar strategjinë si të tyre dhe kanë refuzuar që të bëhen pjesë e zbatimit".
Ndërsa edhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës në zbatimin e Strategjisë është vlerësuar si i mangët.
"Deri tash krejt ajo çka kemi parë prej strategjisë është emërimi i koordinatorit, z. Ylber Hysa..., mirëpo kjo nuk është punë e një njeriut, është punë e krejt institucioneve të Kosovës, ku duhet të angazhohen të gjithë për ta parë një sukses atje”, ka thënë ai.
Zyrtari tjetër i KPJ-së, Ylli Hoxha, ka vlerësuar se Qeveria nuk ka kapacitet për të mbuluar me juridiksion veriun e Kosovës.
"Ajo që kemi parë dy vitet e fundit nga Qeveria e shtetit të pavarur të Kosovës është se nuk ka kapacitete dhe iniciativë për të vërë rend dhe ligj në veri”, është shprehur ai.
Duke tërhequr paralele midis Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës, si "kundërshtar” në terren për të ushtruar rolin në veri, Hoxha në pozitë shumë më të avancuar e ka parë ekzekutivin serb.
"Kemi një qeverisje në Serbi, e cila dita-ditës e perceptuar më pozitivisht në botë e me një prestigj më të ngritur në botë, e kemi një qeveri në Kosovë e cila dita-ditës ballafaqohet me rënie drastike të autoritetit si pasojë e priotetizimit të çështjeve të tjera, siç është përfitimi nga aferat korruptuese”, ka thënë ai. "Domethënë, një qeveri e cila ka në bankë të të akuzuarve një pjesë të madhe të kabinetit, është e paaftë të trajtojë probleme siç është ai i Mitrovicës”.
Hoxha ka treguar edhe rreziqet që kanosin për Kosovën, zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Serbisë në veri të Kosovës, e të cilat mbahen të dielën. "Zgjedhjet e Serbisë në veri do të betonojnë për më tutje një gjendje të ndarjes reale që ekziston në Kosovë dhe rreziku është që me këtë ndarje reale Kosova po futet në një proces që dita-ditës po paralajmërohet më shumë, ai i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, të cilat nënkuptojnë padyshim bisedime edhe për statusin e veriut të Kosovës”, ka thënë ai. "Është shumë e rëndësishme që autoritetet e Prishtinës, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë t’i trajtojnë me parakushtin e ndërrimit të gjendjes në veri, të fillimit të zhvillimeve pozitive në veri”. Hoxha është shprehur se pranimi i bisedimeve me Serbinë me një situatë, siç e ka quajtur ai, të ngrirë të ndarjes së veriut nënkupton gjasa të mëdha që ky territor i Kosovës të ndahet nga tërësia aktuale territoriale e shtetit.
Category: Lajme | Views: 827 | Added by: bannqe | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *: