Main » 2010 June 1 » Dafina Zeqirit fitues i “Videofestit Muzikor”
1:24 PM Dafina Zeqirit fitues i “Videofestit Muzikor” | |
Prishtinë, 1 qershor - "Amazing Girl” i Dafina Zeiqirt, është videoklipi që të hënën në mbrëmje ia doli të "rrëmbejë” çmimin kryesor të edicionit të tetë të Videofestit Muzikor. Në garë për këtë çmim ishin edhe videoklipet "Dy shokë” i Nora Istrefit, "S’të fal” i "Kthjellu” dhe Florit dhe "VIP” i grupit "Skillz”. Përveç që triumfoi në garën e vetme që shpërblen videoklipet në Kosovë, videspoti "Amazing Girl” i realizuar nga produksioni "Entermedia” u shpërblye edhe me tri çmime tjera; atë në konkurrencën "RnB”, në konkurrencën e femrave dhe për montazhin më të mirë. Pasi është "detyruar” të rikthehej për të katërtën herë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të pranuar çmimin, të cilin ia dorëzoi i pari i kryeqytetit, Isa Mustafa, këngëtarja Dafina Zeqiri është shprehur shumë e kënaqur me çmimet që ka marrë. "Kurrë nuk e kam ndier vetën më mirë. Është një shtytje shumë e madhe për karrierën time”, ka thënë Zeqiri. Ajo ka thënë se nuk i ka pritur çmimet që i ka marrë. Kjo sepse ka pasur konkurrencë të fortë. "Është vetëm hera e dytë që marr pjesë në ‘Videofest’ dhe t’i fitoj të gjitha këto çmime është sukses i madh. Konsideroj se kam pasur mjaft konkurrencë dhe nuk i kam pritur këto çmime sonte, kështu që jam shumë e kënaqur”, ka thënë ajo. Tapeti i kuq para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka qenë ai që ka dhënë shenjat e para të një nate glamuroze. Emrat më eminentë të skenës shqiptare kanë parakaluar në të. Atyre u janë bashkuar edhe ministra e politikanë. Një skenë me shumëllojshmëri reflektorësh, e pajisur me një ekran që vazhdimisht "asistonte” në pasqyrimin e videoklipeve të nominuara, ishte ajo që mirëpriti këngëtarët që u ngjitën për të marrë çmimet e "Videofestit Muzikor”. Megjithatë, çmimet nuk ishin e vetmja gjë që ofroi ky eveniment për mbi dy orë. Performanca të shumta që e shoqëruan mbrëmjen u interpretuan nga këngëtarë të njohur skenës shqiptare. Leonora Jakupi, Besa Kokëdhima, Jehona Sopi ishin ato që hapën perden e "Videofestit Muzikor” me interpretimin e këngëve që më së miri "përfaqësojnë” vitet ‘80, "That’s the way” i Sunshine Band, "I will Survive” i Gloria Gaynor. Të tjerë këngëtarë që u ngjitën për të rijetësuar hite të këtyre viteve, prej të cilave shumica ishin këngë të "Minaorit” ishin edhe Flaka Krelani, Teuta Kurti, Linda Halimi. Në "Videofestin Muzikor 2010” nuk ka munguar as "kryeministri”. Atë e ka sjellë imitatori i tij, aktori Halim Berisha. Ai ka "kërkuar” bashkim në "Nato Fest”. Mes shumë çmime që u ndanë në mbrëmjen, e cila bëri bashkë artistë të trevave shqiptare, ishte edhe çmimi për karrierë, i cili në këtë edicion i ka takuar rock grupit kosovar "Minatori”. Fryma e muzikës që ata bëjnë ka dominuar gati gjatë gjithë mbrëmjes, duke qenë se shumica e pikave artistike kanë rikthyer hitet e njohura të këtij grupi. Edhe vetë "Minatori” pas pranimit të çmimit, ka interpretuar një kolazh me hite që kanë arritur t’i mbijetojnë kohës. Vokalisti i grupit, Naser Gjinovci, është shprehur i kënaqur me çmimin, por ka thënë se "Minatori” nuk do të ndalet me kaq. "Fillimisht nuk deshëm ta pranonim këtë çmim, por më pas vendosëm ta pranojmë, por vetëm për gjysmën e karrierës, sepse gjysma tjetër do të vazhdojë edhe më gjatë”, ka thënë Gjinovci. Çmimi i publikut në edicionin e sivjetmë të Videofestit Muzikor i ka takuar videoklipit "Let me die with” të këngëtarëve Alban Skenderaj dhe Miriam Cani, i cili është përzgjedhur në bazë të klikimeve në "you tube”. "Është një çmim shumë i veçantë dhe me të vërtetë shumë i rëndësishëm për ne, është çmimi i parë i kësaj kënge, e cila ka ardhur si një dedikim që ne i kemi bërë njëri- tjetrit”, ka thënë Skenderaj, teksa i shoqëruar nga Cani ka pranuar çmimin. Skenderaj ka marrë edhe çmimin për Videospotin më të mirë në konkurrencën e meshkujve. Kur ka dalë për të marrë këtë çmim i "është lutur” jurisë që të mos t’ia ndajë më. Kjo për shkak se tash pesë vjet, Skenderaj e rrëmben këtë çmim. "Po bëj shaka”, ka thënë para se të zbriste shkallët e skenës së TKK-së. "Është një nder për mua”, ka shtuar ai. Edicioni i tetë i Videofestit Muzikor, nga organizatorët është cilësuar si një nga më të suksesshmit. Linda Shala, njëra nga organizatorët, ka thënë se ekipi që ka punuar në realizimin e Videofestit Muzikor ka arritur të përmbushë misionin e vet. "Për vete jam shumë e kënaqur. Kemi nisur një punë dhe e kemi përfunduar, ajo që ne shpresojmë është që publiku është ndier mirë, ka kaluar një mbrëmje të këndshme dhe është mburrur me atë që ka Kosova dhe me atë që bëjnë artistët kosovarë”, ka thënë Shala. Videofesti Muzikor është transmetuar "live” nga televizioni Kohavision, i cili është edhe bashkorganizator. "Videofesti Muzikor 2010” është përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit dhe nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. Sponsorë medial të "Videofestit…” janë "Koha Ditore” edhe KTV-ja. Edicioni i tetë i "Videofestit Muzikor”, ndau gjithsej tetëmbëdhjetë çmime. Videospoti më i mirë në konkurrencën e grupeve, i takoi grupit "Skills” për "VIP” që mori edhe çmimin "Best rap Hip Hop”. Çmimi "Best New Artist” shkoi për videoklipin "Emër e femër” të Yllka Deliut, videospoti më i mirë i zhanrit pop folk u emërua "Zemra më vdes” i Korab Jetishit, videspoti më i mirë i zhanrit pop, "Elementi i pestë” i Bubulina Krasniqit, videspoti më i mirë i zhanrit rock u shpërblye "S’të fal” i grupit "Kthejllu” dhe Florit. Për regjinë më të mirë u shpërblye videoklipi "Jorgjica” i "Zig Zag orkestra”, videspoti për posproduksion dhe efekte speciale u emërua "High tech” i Elvana Gjatës. Për stylingun më të mirë u shpërblye "Ky është fundi” i Leonora Jakupit, për performancën më të mirë "Tribald” i Adelina Ismajlit. Videoklipi që mori çmimin "Best Promo”, është "Biznis” i "DJ Blunt, real 1 & Big D”. "Ajkë” e mbrëmjes së yjeve ishte edhe prezenca e ambasadorit William Walker”. Ky i fundit, në ditëlindjen e tij mori "dhuratë” nga publiku, i cili nuk hezitoi t’ia këndonte këngën "Happy Birthday”. Walker u shpreh shumë i kënaqur me emocionet që ia fali "Videofesti Muzikor 2010”. "Ishte një natë shumë e mirë, me shumë njerëz dhe shumë talente. Nuk kam kuptuar shumë sonte por kuptova një gjë se këtu ka shumë talente të jashtëzakonshme dhe ky është vendi ku dua të jem”, ka thënë Walker. | |
|
Total comments: 0 | |