Main » 2010 June 3 » Sejdiu “varfërohet”, Thaçi pasurohet brenda 3 vjetësh
9:47 PM Sejdiu “varfërohet”, Thaçi pasurohet brenda 3 vjetësh | |
Prishtinë, 3 qershor –Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, është më i "varfër” sivjet sesa para tre vjetësh. Duke krahasuar formularët e deklarimit të pasurisë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2007 dhe deklarimit të pasurisë në vitin 2010, presidenti Sejdiu tash ka 21 mijë e 600 euro më pak para të gatshme, shkruan sot "Koha Ditore”. Në procesin e deklarimit të pasurisë të organizuar nga OSBE-ja para tre vjetësh, para të gatshme Sejdiu kishte deklaruar 119.827 euro të shpërndara në tri banka komerciale, ndërsa sivjet ai ka deklaruar 98.200 euro. I pari i vendit sivjet nuk ka deklaruar edhe një shtëpi 250 metra katrorë. Para tre vjetësh ai kishte thënë se ka një shtëpi personale me vlerë 200 mijë euro, si dhe një shtëpi tjetër të përbashkët me familjen prej 500 metrash, në vlerë prej 400 mijë eurosh. Ndryshe nga Sejdiu, që është "varfëruar” këto tre vjet, partneri i tij i koalicionit, kryeministri Hashim Thaçi, duket se e ka rritur pasurinë, prejse ka ardhur në pushtet. Në vitin 2007 Thaçi kishte deklaruar vetëm 540 euro para të gatshme në një bankë, ndërsa sivjet ka 324 mijë e 901 euro në dy llogari bankare. Sipas asaj që ka deklaruar vetë Thaçi, duhet se për tre vjet i është rritur edhe vlera e "iratit”. Në vitin 2007, sa ishte në opozitë, Thaçi kishte thënë se ka një shtëpi personale 250 metra katrorë në Prishtinë në vlerë prej 150 mijë eurosh, ndërsa sivjet ka thënë se këtë shtëpi e ka shitur 260 mijë euro. Kurse në fshatin e tij të lindjes në Brojë, Thaçi para tre vjetësh ka thënë se ka shtatë hektarë tokë, vlera e së cilës është 140 mijë euro, ndërsa sivjet për të njëjtën tokë 180 mijë euro, pa përmendur vlerën e shtëpisë, për të cilën ka thënë se peshon 80 mijë euro. Kryeministri i vendit është pasuruar edhe me një truall me sipërfaqe 15 arë e 75 metra në Vetërnik, me vlerë 175 mijë euro, në të cilin po ndërton një shtëpi, sipas tij, 700 metra katrorë, që kushton 230 mijë euro. Gjithë këtë truall dhe shtëpi me vlerë 405 mijë euro ka thënë se e ka mbuluar me 260 mijë euro nga shitja e shtëpisë në lagjen "Arbëria”. Sivjet Thaçi po ashtu ka deklaruar edhe një veturë të tipit "Grand Chiroki”, të blerë 11 mijë euro, me paratë e kursyera. Nëse nuk ka ndonjë burim tjetër të ardhurash, kryeministri i vendit këtë pasuri e ka arritur me pagën e tij vjetore 17 mijë e 318 euro, pagën e bashkëshortes prej 15 mijë e 608 dhe me një kredi 100 mijë euro. Më i pasur sivjet është deklaruar edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, aktualisht kryetar i LDD-së në opozitë. Pasuria e tij e paluajtshme në vitin 2007 ka qenë një shtëpi 300 metra katrorë në Prishtinë me vlerë 120.000 euro dhe një vilë në Brezovicë me 100 metra katrorë, me vlerë 50 mijë euro. Kryetari LDD-së sivjet ka thënë se e njëjta shtëpi ka vlerë 250 mijë euro, vila në Brezovicë 90 mijë euro dhe 41 mijë euro para të gatshme në dy llogari bankare, ndërsa tre vjet më parë kishte thënë se nuk ka asnjë cent. Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-ministri Ardian Gjini, sipas asaj që ka deklaruar, asnjë cent nuk e ka në xhep, pasi sivjet nuk ka deklaruar asnjë cent para të gatshme. Gjini kishte deklaruar në vitin 2007 një truall tre arë në Prishtinë me vlerë 200 mijë euro dhe një shtëpi banimi në Gjakovë me vlerë 250 mijë euro. Pronë private Gjini kishte deklaruar vetëm veturën e tij të tipit "Mercedes” në vlerë prej 11.000 eurosh. Ndërsa deri më 1 gusht i kishte thënë se ka pasur borxh 65.000 euro në një bankë. Sivjet Gjinit, e njëjta shtëpi në Gjakovë duket se i është rritur për 100 metra. Sipas tij, shtëpia në Gjakovë është 350 metra katrorë, por me vlerë 250 mijë euro, sikurse para tre vjetësh. Ndërsa tre arë truall në Prishtinë kanë po të njëjtën vlerë sikurse para tre vjetësh - 200 mijë euro. Nëse Gjini ka deklaruar të njëjtën veturë "Mercedes”, atëherë vlera e saj i është rritur për 4 mijë euro, pasi që sivjet ka thënë se ka një të tillë me vlerë 15 mijë euro. Ish-zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, aktualisht ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është pasuruar shumëfish për tre vjet. Në vitin 2007 ai kishte deklaruar 45 mijë euro para të gatshme, ndërsa kishte thënë se nuk ka pasuri të patundshme. Tash Haziri ka thënë se ka një shtëpi familjare me 16 arë truall, pronë e përbashkët me prindër, në vlerë 350 mijë euro, pesë arë truall pronë e bashkëshortes në vlerë - 12 mijë euro, një veturë BMW X5 - në vlerë 25 mijë, para të gatshme në bankë - 78 mijë euro. Dallim në pasurinë e deklaruar ka edhe nga ish-ministri i Energjisë dhe Minierave nga AAK-ja, Ethem Çeku. Ai kishte deklaruar se 165 mijë e 950 euro ka para të gatshme në bankë. Si pronë kishte paraqitur edhe kompaninë "ALDEX” me vlerë 2.130.000, ndërsa pasuria e patundshme e tij është 570 mijë euro shtëpi banimi në Pejë, 120 mijë euro banesë, ndërsa pronë private tjetër kishte deklaruar një shtëpi në vlerë prej 36 mijë e 500 eurosh. Tash Çeku ka deklaruar një shtëpi banimi 387 metra katrorë në Pejë - 400 mijë euro, një lokal 95 metra, 150 mijë euro, një depo "Rugova”, 3,950 metra katrorë – 173 mijë euro, mall tregtar 978, 543, investime në "ALEX” në lagjen "Kalabria” në Prishtinë, 4. 257, 410, para të gatshme 1. 743, 61, para tjera të gatshme, siç ka deklaruar në dorë, 2. 312, 55. Një ish-ministër tjetër nga radhët e AAK-së, Bujar Dugolli, në vitin 2007 ka deklaruar banesën e tij në Prishtinë 115 metra katrorë në vlerë 115 mijë euro, 115 metra katrorë shtëpinë banimi ne Nekoc me vlerë 50 mijë euro, 20 hektarë tokë bujqësore - 1500 euro. Kurse pronë private e ka paraqitur veturën e tipit "Pasat” të vitit 2003 të bashkëshortes së tij në vlerë prej 15.000 eurosh. Tash Dugolli, deputet i pavarur, ka deklaruar të njëjtën banesë me të njëjtën vlerë, një shtëpi tjetër 170 metra katrorë në fshatin Nekoc me vlerë 50 mijë euro, tokë bujqësore 1.25 hektarë në vlerë prej 20 mijë eurosh, objekt bujqësor - fermë, në fshatin Nekofc, në vlerë prej 15 mijë eurosh, veturë në vlerë prej 15 mijë eurosh dhe para të gatshme në bankë 35 mijë euro. Ish-ministrja e Shërbimeve Publike, Milihate Tërmkolli, kishte deklaruar së ka në llogari bankare 14 mijë e 900 euro, një biznes në vlerë 5 mijë euro. Ndërsa pasuria e patundshme e saj është 100.000 euro, shtëpi 120 metra katrorë në Fushë-Kosovë, 40.000 euro, banesë 50 metra katrorë në Prishtinë, si dhe 20.000 euro, 15 arë truall në Fushë-Kosovë të deklaruar si të përbashkët me familjen e saj. Kurse pronë private Tërmkolli e ka deklaruar veturën "Vectra” 3.000 euro, si dhe 2.000 euro kamionçinën "Ford Tranzit”. Në vitin 2010, Milihate Tërmkolli për të gjitha pronat e paluajtshme ka thënë se nuk ua di vlerën reale përveç banesës 50 metra katrorë që kushton, sipas saj, 60 mijë euro. Tërmkolli ka thënë tash po ashtu se ka një veturë "Honday” me vlerë 12 mijë euro, ndërsa kamionçinës nuk i ka vënë çmim. Para të gatshme Tërmkolli duket se nuk ka asnjë cent e as ndonjë borxh apo kredi bankare. Një ish-ministër tjetër, ai i Ekonimisë dhe Financave, Haki Shatri, para tre vjetësh kishte thënë se para të gatshme i ka 26 mijë euro. Sipas llogaritjeve të tij si ekonomist, Shatri kishte thënë se ka një banesë 80 metra katrorë në Prishtinë në vlerë prej 80.000 eurosh, një banesë tjetër në Istog, 200 metra katrorë, në vlerë prej 100.000 dhe një hektar tokë po ashtu në Istog në vlerë prej 100.000 mijë eurosh. Tash, kur Haki Shatri është në opozitë, pasi ka kaluar nga LDK-ja në AAK për asnjërën prej pronave nuk ka treguar se sa kushton, por vetëm ka shkruar "sipas vlerës së tregut”. Ndërsa para të gatshme sikurse kolegia e tij, Termkolli, nuk ka deklaruar asnjë cent. | |
|
Total comments: 0 | |