Johannesburg, 9 qershor - "Është e pabesueshme", ka thënë sulmuesi i
Kamerunit, Samuel Eto'o, me të mbërritur në Afrikën e Jugut, ku do të
zhvillohet Kampionati Botëror.
"Gjithmonë e kam pasur këtë
ëndërr, të luaj në Afrikë për titullin e botës dhe kjo m'u realizua. Kur
jam në Afrikën e Jugut ndihem sikurse në Kamerun. Gjithmonë kam thënë
kështu, unë i takoj Afrikës. Unë jetoj në Evropë, por fle në Afrikë".
Futbollisti
i Interit tregon rrugën e tij të gjatë deri në Afrikën e Jugut. Një
ditë pa mbushur 15 vjet në vitin 1996, ai u nis drejt Spanjës i vetmuar.
Kur mbërriti në Aeroportin e Madridit ishte i frikësuar.
"Është
e pabesueshme", përsërit Eto'o fjalët e njëjta. "Pas kësaj gjithë jeta
ime është e pabesueshme".
Provat e tij u treguan të suksesshme
dhe Reali i ofroi kontratë, por menjëherë e huazoi në Leganes, Espanyol
dhe Mallorca. Kjo e fundit në vitin 2000 bleu kartonin e tij. Pas katër
edicioneve te Mallorca, ai shpallet futbollisti i vitit në Afrikë dhe
menjëherë transferohet te Barcelona. Sulmuesi kamerunas stabilizohet
shumë shpejt edhe në "Camp Nou" dhe ndihmon Barçën të fitojë tre tituj
në La Liga dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve. Pas kësaj ai u
transferua tek Interi më 2009 në shkëmbim me Zlatan Ibrahimoviqin.
Interi nga ku transferi fitoi edhe 46 milionë euro dhe lëvizja doli e
qëlluar. Qysh në edicionin e parë në Itali, ai tregohet fantastik pasi
me Interin fiton titullin e kampionit në Serie A, Kupën e Italisë dhe
trofeun e Ligës së Kampionëve.
"Pikërisht për këtë arsye ndihem
krenar që jam afrikan në këtë Botëror. Si shumica e afrikanëve më është
dashur të punoj më shumë dhe të tregohem më i mirë se të tjerët. Kam
filluar nga asgjëja dhe tash kam arritur nivelet më të larta botërore.
Krejt çka kisha ishte futbolli dhe ndihma e Zotit. Mirëpo, unë ia kam
dalë mbanë dhe tash jam në shtëpi, në Afrikë, ku do t'i tregoj botës një
fytyrë tjetër", ka thënë Eto'o. "Shumica e njerëzve e shohin Afrikën si
vend të luftës, varfërisë dhe sëmundjeve. Por, ky botëror na jep rastin
të tregojmë diçka tjetër dhe jam i bindur se gjithë bota do të
befasohet nga Afrika. Ky mund të jetë Kampionati më i mirë botëror në
histori të futbollit".
Eto'o ka një zakon të rrallë kur luan me
Kamerunin, pasi pas çdo stërvitjeje ai troket në një panelë të drurit
dhe thotë se këtë e bën për t'i sjellë fat jo vetëm Kamerunit, por mbarë
Afrikës. Sulmuesi i Interit, asnjëherë nuk kursen kur është fjala
përfaqësuesja e Kamerunit, pasi secilit anëtar së fundi ia ka blerë nga
një orë dore në vlerë prej 30 mijë eurosh.
"Është një dhuratë e
vogël për ekipin bazuar në gëzimin që ia ka sjellë popullit të
Kamerunit. Shuma e parave të shpenzuara nuk është me rëndësi. Sikur të
isha Bill Gates nuk e di se me çka do t'i shpërbleja bashkëlojtarët për
kualifikim në Botëror, sepse gëzimin që përjetoi populli ynë nuk ka
çmim", tha ai.
Nga të gjithë futbollistët e botës, Eto'o ka
pasur më së shumti telashe me fyerjet raciste, pasi gjithmonë ka qenë
cak i tifozëve kundërshtarë. Ai tregon se jo lehtë i ka përballuar ato.
"Nuk
është lehtë t'i durosh fyerjet, britmat e majmunëve dhe t'i shohësh
bananet duke fluturuar skaj teje", ka thënë Eto'o.
Eto'o shpreson
së kësaj here në Afrikën e Jugut tifozët do t'i japin fund fyerjeve
raciste, ndërsa thotë se Përfaqësuesja e Kamerunit ka gjasa të mira t'i
tregojë vlerat e veta.
Kameruni kampanjën në botërorin "Afrika e
Jugut 2010" e nis kundër Japonisë në kuadër të Grupit E. Në grup do të
ketë punë edhe me Holandën dhe Danimarkën.
|