Main » 2010 May 31 » Ne hetime disa persona nga protesta e djeshit ne Mitrovicë
3:01 PM Ne hetime disa persona nga protesta e djeshit ne Mitrovicë | |
Mitrovicë, 31 maj - Policia e Kosovës ka nis hetimet ndaj dy personave për "prishje të rendit dhe qetësisë publike”, lidhur me incidentin e së dielës në urën kryesore mbi lumin Ibër, kur policia me ndihmën KFOR-it dhe policisë së EULEX-it ka shmangur një konflikt ndëretnik mes grupeve të protestuesve shqiptarë dhe serbë. Sipas policisë nga hedhja e gurëve nga personat e mbledhur në veri kanë pësuar lëndime të lehta dy pjesëtarë të policisë së Kosovës. Kjo është konfirmuar, të hënën, nga komandanti i stacionit policor në jug, kapiteni Bashkim Spahiu, i cili ka vlerësuar se reagimi i policisë ka qenë në nivel dhe i efektshëm. "Sipas raporteve të fundit nga hedhja e mjeteve të forta nga personat e mbledhur në veri janë lënduar lehtë dy pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ndërsa ndaj dy personave kanë nisur hetimet për "Prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka deklaruar Spahiu gjatë një takimi me përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë. Por, nuk është dhënë identiteti i atyre që po hetohen. Ndërsa përfaqësuesit e KFOR-it kanë potencuar se Policia e Kosovës EULEX-i kanë bërë punë të mirë, ndërsa ushtarët e KFOR-it gjatë gjithë kohës kanë qenë të gatshëm për të intervenuar. Ndërkaq kryetari i komunës, Avni Kastrati, duke u ndërlidhur me gjendjen e krijuar në urën e Ibrit, tha se falë reagimit profesional të strukturave të sigurisë si dhe maturisë së protestuesve shqiptarë, situata nuk ka përshkallëzuar. Në anën tjetër, ai kërkoi nga autoritetet gjegjëse që të marrin masa ndaj atyre që kanë prokuruar situatën. "Gjithçka që ka ndodhur të dielën është e qartë, dihen personat e komunitetit serb nga veriu që kanë provokuar situatën, ata që kanë hedhur gurë dhe që kanë shtënë me armë zjarri, andaj duhet marrë masa në mënyrë që të jetë e qartë se veprime të tilla janë të patolerueshme”, ka thënë Kastrati. Nëse nuk ndodh një veprim i tillë, kjo do t’i trimëronte ata që ushtrojnë dhunë, ka shtuar Kastrati. I pari i Mitrovicës i ka komentuar edhe zgjedhjet e organizuara të dielën nga Serbia në veri të Kosovës që, si tha, janë ilegale dhe të papranueshme. Ndërsa për numrin e vogël të qytetarëve serbë, që kanë dalë në këto zgjedhje, ai theksoi se kjo nuk mund të ndërlidhet assesi me protestën e organizuar në jug, por me demoralizimin e kësaj popullate në politikën e Beogradit që për dhjetë vite vazhdon të manipulojë me ta. | |
|
Total comments: 0 | |