Welcome, Guest! Registration RSS

My site

Wednesday, 2024-11-27
Main » 2010 » June » 30 » Legjislatura kosovare është pro shamisë !
9:42 PM
Legjislatura kosovare është pro shamisë !

Protesta e një grupi prej mbi pesë mijë pjestareve të fesë Islame në Prishtinë në mbrojtje të femrave të përjashtuara për vijimin e mësimit nëpër shkolla fillore dhe të mesme për shkak të mbajtjes së mbuleses ka zgjuar reagime nga më të ndryshmet. Ata deklaruan se protestojnë kunder udhëzimit administrativ nr 6/2010 i cili rregullon mirësjelljen dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta.

Duke pasur parasysh se perveç reagimeve konstruktive pro dhe kunder këtij udhëzimi, kishte edhe nga ato më banalet e deri tek ato të dyshimeve të ndryshme.

Për të gjetur një përgjigje legjislative në lidhje me të drejtën e shkollimit të femrave të cilat mbajnë shami (me apo pa imponim) kam sjellur agrumente vetëm nga ligjet e aplikuara në Kosovë.

Në vargun e hierarkisë legjislative Kushtetuta dhe Ligji janë mbi çdo akt nënligjorë, udhëzim apo vendim i nxjerrë nga organet kompetente qofshin ato nga Ministria apo Institucionet  tjera. Dhe nuk lejohet që aktet e tjera nënligjore të jenë në kundërshtim me Kushtetuten dhe Ligjet e nxjerra nga Parlamenti i Kosovës.

Në vet fillimin e preambulës së Kushtetutës së Kosovës vëhet theksi se Kushtetuta e Kosovës është e ngritur në bazë të vullnetit të popullit andaj edhe kjo pjesë e popullit që protestoi dhe ka lajmëruar se do të protestojë edhe në të ardhmen kanë hise në këtë kushtetutë. Dhe jo rastësisht në këtë preambulë citohen shprehjet : „Ne, populli i Kosovës, të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet…Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë".

Ashtu siç është e njohur tashmë për tërë opinionin se Kushtetuta e Kosovës e përkufizon Kosoven si shtet laik me Nenin 8 të saj, poashtu edhe opinioni dhe e vërteta e qartë se nëse Kosova është shtet laik nuk do të thot se edhe pjestarët e këtij shteti (populli) të jenë të tillë. Ata mund të jenë laik (ateist) siq është shteti i Kosovës, por mund të jenë edhe musliman, katolik, ortodoks, protestant e budist.  E drejta e çdo individi në besimin e tij njihet si e drejtë dhe liri themelore e ti, andaj kjo e drejtë është e pandashme, e patjetërsueshme dhe e pacenueshme. Kjo vertetohet edhe me Nenin 21 pika 1 e Kushtetutës së Kosovës në të cilen thuhet se : „Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës".

Poashtu gjithnjë duke ju referuar Kushtetutës së Kosovës kjo e drejtë është e mbrojtur dhe e garantuar nga shteti dhe se çdokush e ka për detyrë ta respektoj këtë të drejtë. (Neni 21.1,2,3).

Liria e besimit është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës në nenin 38.1 ku thuhet se : „Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe fesë, është e garantuar".

Kur kemi të bëjmë me arsimin gjithnjë duke ju referuar Kushtetutës së Kosovës kemi nenin 47 mbi të Drejtën për Arsimim pika 2 ku thuhet se : „Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj".

Nga kjo vlenë të theksohet se në pjesën e fundit të kësaj alenie është shumë mirë e definuar dhe projektuesve të kësaj Kushtetute ju ka shkuar ndërmend se ka njerëz që kanë nevoja të veçanta dhe se kjo i përfshin të dy gjinitë. Mbajtja e shamisë nga një vajzë muslimane është nevojë e jo ndonjë luks.

Por duke shikuar edhe anën tjetër të medaljes, pra të kufizimit të disa të drejtave të cilat poashtu bazen e kanë në Kushtetutën e Kosovës, ja vlenë të theksohet se kufizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, nuk e bën të mohojë kurrsesi esencën e së drejtës së garantuar (Neni 55.5). Edhe më shum bëhet interesante se Neni 38 i cili garanton lirinë e besimit nuk lejohet që të shmanget as gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Andaj kjo e drejtë pasiqë nuk cenohet as në gjendjen e jashtëzakonshme, atëherë si është e mundur të bëhet një cenim i kësaj të drejte në gjendje lirie.

Poashtu sipas Kushtetutës së Kosovës, shteti është i obliguar që të ndërmerr të gjitha masat dhe të mbrojë qytetarët e vet në rast të kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelorë të njeriut. Kushtetuta e Kosovës e bënë përgjegjës shtetin me nenin 58 pika 3 ku thuhet se : „Republika e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët mund t’u nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë a dhunës,si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar".

Poashtu me Kushtetutën e Kosovës është e garantuar që komunitetet dhe pjestarët e tyre kanë të drejtë në mënyrë individuale ose si komunitet të shprehin, mbajnë të zhvillojnë dhe të ruajnë elementet thelbësorë të identitetit të tyre fetar. Kjo është e garantuar me nenin 59 pika 1 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet :" Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet:(1) të shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe të ruajnë elementet thelbësore të identitetit të tyre, përkatësisht fenë, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre".

 

Në sistemin legjislativ Kushtetuta e Kosovës është bazë e çdo ligji, akti nënligjorë apo rregulloreje andaj mospërputhshmëria e tyre me Kushtetuten përbën një akt antikushtetues.

 

Duke u munduar që të trajtojmë këtë çështje edhe në bazë të ligjeve në fuqi atëherë dua të filloj me ligjin mbi diskriminimin.Ky ligj zbatohet ndaj të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të personave fizik dhe juridik, sektorit publik dhe privat duke përfshirë edhe organet publike të cilat cenojnë të drejtat e personit apo personave fizik dhe juridik, dhe një ndër fushat ku zbatohet ky ligj është edhe Arsimi (neni 4 pika G).

Nxjerrja e urdhëresës administrative nga MASHT paraqet një diskriminim të drejtpërdrejtë duke ju referuar nenit 3 pika A që ka të bëjë me kuptimin e nenit 2 pika A. Pasi që një pjesë e caktuar e shoqërisë (nxënëseve) nuk është duke u trajtuar barabart sikurse të gjithë nxënësit e tjerë. Thënë ndryshe nuk është duke ju mundësuar vijimi i rregullt i mësimit. Udhëzimi në fjalë i nxjerrur nga MASHT ka shkaktuar edhe segregacion duke ju referuar nenit 3 pika F të ligjit mbi diskriminimin.Poashtu vlenë të theksohet se në bazë të këtij ligji i vetmi organ i autorizuar që bënë pranimin dhe hetimin e ankesave që kanë të bëjë me shkeljet e të drejtave në baza diskriminuese është Ombudspersoni i Kosovës.

Ka kohë të gjatë që nëpër forume, media e thashetheme qarkullojnë se prindërit janë ata të cilët u imponojnë fëmijëve gjëra të ndryshme por më e përfolura udhëzimet dhe mësimet fetare gjegjësisht mbulimi i vajzave me sugjerim të familjes. Kjo nuk është për tu çuditur pasiqë një gjë të tillë e garanton edhe Ligji për lirinë fetare në Kosovë ku shum qartë thuhet se prindërit janë ata të cilët i përcaktojnë udhëzimet fetare për fëmijët e tyre. Për të qenë më të qartë dhe më të saktë me ata që e „dëshirojnë debatin dhe argumentin" neni 9.4 i Ligjit për liritë fetare në Kosovë thot  : „Çdo njëri ka të drejtë të zgjedhë ose të mos e zgjedh arsimin fetar sipas bindjeve dhe besimit personal. Prindërit ose kujdestarët e tjerë ligjorë janë të thirrur t’i përcaktojnë udhëzimet fetare dhe etike për fëmijët e tyre sipas bindjeve ose besimeve të tyre". Poqëse kësaj i shtojmë nenin 1 pika D e Ligjit për arsim fillorë dhe të mesëm në Kosovë, fëmijë llogaritet çdo person deri në moshën 18 vjeçare. Kështuqë nuk duhet të i vij dikujt rënd nëse ndodhë që prindi të udhëzoj fëmijën e tij në qështje të bindjeve dhe besimit sepse është e drejtë e tij e garantuar me Ligjin për lirinë e fesë në Kosovë dhe nga vet natyrshmëria e jetës vjenë në shprehje edukimi dhe kultura prindërore tek fëmijët.

Duke u bazuar në Ligjin për arimin fillorë dhe të mesëm në Kosovë MASHT ka për detyrë të përgjithshme të nxitë arsimimin e njerëzve në Kosovë (neni 3.1).Po sipas këtij ligji qëllimet e arsimit të njerëzve në Kosovë janë të shumta e ndër to : „Të përgatisë nxënësin për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë, në frymën e mirëkuptimit, të paqes, të tolerancës, të barazisë gjinore, dhe të miqësisë midis të gjithë popujve, grupeve etnike, kombëtare dhe fetare si dhe personave me origjinë nga i njëjti vend" (neni 4.1(d)). Andaj si ka mundësi që ky qëllim të ndryshohet kur janë në pyetje vajzat e besimit Islam?

Shpeshherë njerëzit duke menduar se kanë të drejtë dhe veprimet e tyre janë më të mirat, harrojnë se veprimi e nganjëherë edhe mosveprimi i tyre shkakton vepër penale. Përkujdes për lëminë e veprave penale ka bërë Ligji Penal i Kosovës.

Është normale se veprat penale, sanksionet dhe masat tjera i përcakton ligji dhe kjo është e paraparë në kapitullin e dispozitave të përgjithshme neni  1 pika 1 që ka të bëjë me parimet e ligjshmërisë. Për të gjithë ata që nuk e din se çka është një vepër penale, këtë mund ta mësojnë duke lexuar Nenin 6 të Ligjit Penal të Kosovës. Por, pasiqë fatkeqësisht Kosova mund të llogaritet si vend ku lexueshmëria është nën nivel atëherë po shfrytëzoj rastin në këtë shkrim ta publikoj atë, sepse të „dashuruararit" e shtetit modern po ta kishin lexuar këtë nuk do të kishte nevojë për protesta." Vepra penale është vepër e kundërligjshme e cila është e përcaktuar me ligj si vepër penale,tiparet e së cilës janë të përcaktuara me ligj dhe për të cilën me ligj është paraparë sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm".

Edhe në Ligjin Penal të Kosovës shprehja „fëmijë" don të thotë personi i cili nuk i ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet. Kurse, kur është fjala për shprehjen „person përgjegjës" „do të thotë një individ në një organizatë biznesi ose një person juridik, të cilit, për shkak të funksionit apo autorizimit të posaçëm, i janë besuar detyrat që lidhen me zbatimin e ligjit ose të dispozitave të tjera të nxjerra në bazë të ligjit…".

Drejtorët dhe ata të cilët thirren në zbatimin e udhëzimeve administrative të njxerrur nga MASHT duhet të mos harrojnë se veprimi i tyre në bazë të Ligjit Penal të Kosovës paraqet vepër penale. Dhe mu për këtë në Gjilan Gjykata ka vendosur në favor të nxënëses që ajo të kthehet në bankat shkollore. Ligji Penal i Kosovës në nenin 158 ka sanksionuar kryesit e veprave penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut. Dhe kur kryerësi i kësaj vepre penale gjindet në funksion zyrtar kjo përbën shkelje më të rëndë andaj edhe sanksioni është më i lartë (Fatkeqësisht në Kosovë drejtorët gjinden mbi ligjin dhe nuk i përfillin vendimet gjyqësore). Teksti i plotë i nenit në fjalë i Ligjit Penal të Kosovës është :

Neni 158

 (1) Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i mohon ose i kufizon liritë a të drejtat e

banorit të Kosovës të parapara në Kornizën Kushtetuese dhe në ligjin në fuqi mbi bazën e

dallimit në racë, në ngjyrë, në gjini, në gjuhë, në besimin fetar ose në ateizëm, në mendimin

politik ose në mendimin tjetër, në prejardhje sociale ose kombëtare, në pronë, në lindje, në

arsim, në statusit shoqëror ose sipas karakteristikave të tjera personale, të lidhjes me

bashkësinë etnike ose gjuhësore në Kosovë ose kushdo që në mënyrë të kundërligjshme i jep qytetarit të Kosovës çfarëdo privilegji ose përparësie mbi bazën e një dallimi ose përkatësie të tillë dënohet me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

(2) Kushdo që i mohon ose ia kufizon pjesëtarit të një bashkësie etnike, fetare ose

gjuhësore në Kosovë të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të tij ose për të gëzuar

autonominë e tij dënohet me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

 (4) Nëse vepra penale nga ky nen kryhet nga personi zyrtar gjatë ushtrimit të detyrave të

tij, kryerësi dënohet me burgim prej një deri në shtatë vjet për veprën penale nga paragrafin 1 ose 2 ose me burgim prej gjashtë muajve deri në tre vjet për veprën penale nga paragrafi 3.

 

Nga kjo mund të konkudojmë se përveq udhëzimit administrativë të nxjerrë nga MASHT që është në kundërshtim të plotë me Kushtetuten dhe Ligjet e Kosovës, largimi i nxënëseve me shamia nga shkollat paraqet vepër penale dhe se kjo denohet ashpër me Ligjin e aplikueshëm në Kosovë.

Protestuesit edhe pse kanë marrë kritika nga më të ndryshmet ata duhet përkrahur. Sepse në një shtet demokratik pas një vendimi të gjykatës dhe moszbatim të saj rruga e vetme mbetet protestimi. Kurse për të gjithë ata që mendojnë se çështja duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese kjo është banale. Sepse gjykata e ka bërë interpretimin e ligjit gjegjësisht të kësaj urdhërese administrative dhe ka vendosur njëherë për çështjen e vajzave me mbulesa dhe për këtë nuk ka qka të shkohet më larg. Ata që nuk janë të kënaqur me vendimin gjyqësor këtë qështje mund ta dërgojnë te „baba" në Gjykatën Kushtetuese. Kështu është rregulli në shtetet demokratike, por pasi që jetojmë në Kosovë, dhe siç thot fjala popullore „s’dihet ka sa po shkon pasuli"  çdo gjë ndodhë, madje edhe përtej Gjykatës Kushtetuese.

 

 

Lulzim Bajrami

Category: Artikuj | Views: 943 | Added by: bannqe | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *: