Main » 2010 June 30 » Kosova mund të ketë domen shtetëror edhe pa ulëse në OKB!
4:46 PM Kosova mund të ketë domen shtetëror edhe pa ulëse në OKB! | |
Kosova nuk ka nevojë të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve te Bashkuara për t’u pajisur me domain të vetin shtetëror (ccTLD). Domeni ".ks" është i lirë dhe mund t’i ndahet Kosovës. Të gjitha vendet e rajonit kanë kod shtetëror te internetit, ndërkombëtarisht i njohur si domain. Domaini është prapashtesa e faqeve të internetit përmes së cilit identifikohet prejardhja e tyre. Për shembull, Shqipëria e ka domenin .al , Serbia .rs, Maqedonia .mk dhe Mali i Zi .me. Deri më tani kanë qarkulluar fjalë se Kosova nuk mund të ketë domain të vetin shtetëror pa pasur ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por këtë e ka hedhur poshtë, menaxheri i shërbimeve në Korporatën Ndërkombëtare të Internetit për përcaktimin e emrave dhe numrave, me seli në Washington, Kim Davies. "Nuk është e nevojshme që Kosova të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara që të pajiset me kod shtetëror të internetit. Ajo çka duhet, është që të jetë pjesë e atyre vendeve që plotësojnë standardet. Këto standarde vërtet vendosen nga OKB, por këto standarde mund të aplikohen edhe për shtetet që nuk janë anëtare të kësaj organizate. Çka duhet të bëjë Kosova është që të pranohet nga OKB-ja si një territor gjysmë autonom. Pra anëtarësimi në OKB nuk është i domosdoshëm”, ka sqaruar Davies. Është thënë po ashtu se Koreja Jugore e ka kodin shtetëror të internetit .ks, por kjo nuk qëndron. "Domeni.ks është i lirë dhe kur Kosova t’i plotësojë kushtet, mund të diskutohet që kjo prapashtesë të bëhet pronë e Kosovës”, ka theksuar Davies. "Për momentin domainet KO dhe KS janë të lirë dhe nuk përdoren nga asnjë vend tjetër në botë, pra këta domain-ë mund të bëhen pronë e Kosovës kur të plotësohen kushtet e kërkuara”, është shprehur Davies. Në numrin e muajit prill të këtij viti të revistës PC World Albanian, keni mundur të lexoni një shkrim të detajuar në lidhje me çështjen rreth domenit të Kosovës. Ne në atë kohë patëm kontaktuar me zyrtarë të ICANN të cilët u patën shprehur: "Për të pasur një ccTLD, është kusht që vendi të ketë kod shtetëror të listuar në standardin ISO 3166-1. ICANN nuk përfshihet në njohjen e vendeve dhe bazohet në këtë standard për definimin e saj” pati deklaruar Michele Jourdan, për PC World Albanian. Kjo do të thotë se ICANN mban qëndrim neutral për sa i përket statusit të Kosovës, kështu që edhe sipas asaj që është shprehur Kim Davies, ka gjasa të ndodhë aprovimi i domenit, vetëm në rast të një vendimi special nga OKB. Ne kemi kontaktuar me ICANN, dhe presim që ata së shpejti të na kthejnë një përgjigje më të detajuar në lidhje me zhvillimet e fundit rreth domenit të Kosovës. Ndoshta më në fund do të lëviz diçka në drejtimin e duhur. | |
|
Total comments: 0 | |