Welcome, Guest! Registration RSS

My site

Wednesday, 2024-11-27
Main » 2010 » June » 30 » Kompania qipriote kërkon 16 milionë euro dëmshpërblim nga Qeveriaa
4:37 PM
Kompania qipriote kërkon 16 milionë euro dëmshpërblim nga Qeveriaa

Prishtinë, 30 qershor – Kompania qipriote "Amdocs”, e cila ishte kontraktuar për realizimin e projektit "Platforma e faturimit”, kërkon miliona euro dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Postë-Telekomit. Vlera e kontratës mes "Amdocs” dhe PTK-së ishte afro 20 milionë euro, shkruan sot "Koha Ditore”.. Kërkesa e "Amdocs” vjen për shkak se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria për Ekonomi e Financa, ka anuluar tenderin për platformën e faturimit të korporatës së Postë-Telekomit, tri ditë pas nënshkrimit.
Kompania "Amdocs” kërkon dëmshpërblim prej 16 milionë euro për shkëputje të njëanshme të kontratës 20 milionëshe në të cilën përfshihej edhe çmimi i mirëmbajtjes pesëvjeçare të softuerit të faturimit.  Për mbrojtjen e kësaj korporate dhe aksionarit të saj në gjykatën e arbitrazhit në Londër është angazhuar një avokat ndërkombëtar, i cili sipas burimeve të gazetës, do të paguhet dhjetëra mijëra euro.
Për angazhimin e tij nuk ka pasur tender të shpallur nga asnjëra palë të cilat gjatë së martës nuk kanë dhënë shpjegime rreth pagesës që do t’i bëhet këtij avokati pa respektuar Ligjin e Prokurimit Publik.
"Pas njoftimit nga kjo kompani se lënda do të shkojë në gjykatën e arbitrazhit, zyrtarë të qeverisë, zyrtarë të PTK-së dhe përfaqësues të "Amdosc”, kanë diskutuar mundësitë që kjo çështje të rregullohet pa shkuar në gjykata”, ka thënë një burim i gazetës brenda Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, kompania nga Qiproja nuk ka kërkuar që negociatat të kryhen brenda një kohe të shkurtër duke pamundësuar hapjen e tenderit për angazhim të avokatëve mbrojtës. Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë për Ekonomi e Financa gjatë së martës nuk kanë dhënë shpjegime rreth padisë së kompanisë qipriote, e cila kërkon 16 milionë euro dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së kontratës.
Në anën tjetër zyrtarët e Postë-Telekomit theksojnë se këtë shumë të mjeteve prej 16 milionë eurosh nuk do ta paguajnë ata, por aksionari i saj e që është Qeveria e Kosovës.
"Këto mjete duhet t’i paguajë Qeveria, sepse PTK-ja është pronë e Qeverisë. Aksionari ka vendosur që faturimi të ndërpritet me kompaninë fituese”, ka theksuar Arsim Bilalli, menaxher i Zyrës për Komunikime të Korporatës.
Sipas tij, PTK-ja nuk ka marrë asnjëherë paralajmërim lidhur me nënshkrimin apo mosnënshkrimin e kësaj kontrate, e cila ka qenë kërkesë dhe prioritet prej vitit 2005. "Menaxhmenti i PTK-së ka përdorur të gjitha praktikat më të mira të prokurimit publik dhe kontrata ka qenë plotësisht në rregull, edhe sipas ekspertëve ndërkombëtarë dhe avokatëve ndërkombëtarë”, ka thënë Bilalli.
Ndërkaq ky tender është anuluar nga Qeveria e Kosovës në maj të këtij viti në kuadër të kufizimeve që i janë vënë korporatës së Postë-Telekomit, e cila është në prag të privatizimit. Në një nga mbledhjet e qeverisë së këtij muaji është marrë vendim që të anulohen "Platforma e faturimit”, projekti i fibrave, si dhe të stopohen punësimi deri në fund të vitit në PTK.
Arsyetimi i Qeverisë në anulimin e projektit të platformës së faturimit ishte se ai kishte kohëzgjatje për pesë vite, ndërsa PTK-ja do të privatizohej brenda vitit. Ndërsa, edhe në mesin e investitorëve potencialë për blerjen e PTK-së kishte zyrtarë kompanive që kishin deklaruar se nuk do ta përdornin platformën e instaluar nga Postë-Telekomi në momentin kur do të bëheshin pronarë të kësaj korporate.
Në anën tjetër është përcjellë me parregullsi edhe përzgjedhja e kompanisë nga Qiproja në muajin prill të këtij viti. Kjo kompani kishte kërkuar rreth 9 milionë e 400 mijë euro për platformën e faturimit të Telekomit, ndërsa 9 milionë e 935 mijë për platformën e faturimit të VALA-s. Në këtë çmim përfshihej edhe mirëmbajtja për një periudhë pesëvjeçare. Këto pagesa milionëshe për "Platformën e faturimit” kishin bërë Agjencinë  Kundër Korrupsionit që të merrej me këtë rast. Sipas tyre, dyshohej në keqpërdorimin e rreth 9 milionë eurove në këtë tender, meqë oferta e kompanisë së njëjtë para më shumë se dy viteve ishte afro 11 milionë euro për një platformë të përbashkët të faturimit të dy njësive të PTK-së, Telekomit dhe VALA-s.
Category: Lajme | Views: 810 | Added by: bannqe | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *: