9:45 PM Jashtëtokësorëve u ndalohet hyrja në Kosovë! | |
Edhe një herë rreth shamisë, laicitetit dhe hipokrizisë. Në Diznilend dhe në botën e Hari Poterit gjithçka mund të ndodhë: shtrigat mund të fluturojnë mbi bishta fshesash, autobusët mund të hyjnë nëpër vrima gjilpërash dhe jashtëtokësorët mund të jetojnë vetëm me ajrin e Tokës. Duke vrojtuar zhvillimet e përditshme sociale, ekonomike dhe juridike në vendin tonë, nuk ke si të mos stepesh kur e sheh se Kosova jonë fort e dashur fatkeqësisht është shndërruar në një shoqëri fantastiko-shkencore ku nuk të çuditë më as lajmi më i pazakontë. Në vazhdën e ngjarjeve të fundit rreth përjashtimit të nxënëseve shqiptare muslimane nga shkollat për shkak të shamisë prapë nuk ke si të mos e konsiderosh Kosovën në të njëjtin nivel me Diznilendin, Hari Poterin apo Shoqërinë e Unazave. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë me aferën rreth ndalimit të shkollimit për nxënëset muslimane në Kosovë e ka kthyer vetveten në një shoqatë magjistarësh ku lejohet edhe fantazia edhe hipokrizia edhe budallakia. Fillimisht MASHT-i duke dashur të ndalojë bartjen e shamisë së vajzave muslimane në shkollat publike doli me një urdhër administrativ ku e ‘ndalon ndalimin e bartjes së uniformës fetare’. Kjo ishte e mjaftueshme për të kuptuar se çfarë njerëzish kemi zgjedhur për të na udhëhequr dhe për ta përparuar e menaxhuar jetën tonë të përditshme. Në vend që urdhri administrativ të ndalonte bartjen e uniformës fetare siç ishte koncipuar nga krijuesit, ai e bënte të kundërtën; e ndalonte ndalimin e bartjes së uniformës fetare. Gafa të tilla mund të bëjnë vetëm palo-zyrtarë të cilët direkt nga kopetë e lopëve kanë ardhur për të udhëhequr kopetë e njerëzve pa kaluar asnjë ditë kalimthi nëpër bankat e shkollave. Kjo i bie njësoj sikur ligji i cili ndalon vrasjen e fëmijëve të shkruhet si ‘ndalim i ndalimit të vrasjes së fëmijëve’ që do të thotë se është e ndaluar të ndalosh vrasjen e fëmijëve, pra të gjithë ata, qofshin zyrtarë shteti apo qytetarë, që mëtojnë të parandalojnë vrasjet do të jenë të ndaluar nga ligji dhe jo vetë vrasësit. Nuk kaluan ditë dhe MASHT-i e korrigjoi gabimin e bërë duke e treguar fytyrën e vërtetë antihumane, antinjerëzore dhe kundër të drejtave e lirive individuale. Në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe me kushtetutën e vendit ata ua shkurtojnë të drejtën e shkollimit femrave të cilat kanë zgjedhur që të përmbajnë një të drejtë fetare njësoj siç kanë bërë me shekuj të tërë edhe gjyshet e stërgjyshet tona, qofshin katolike apo muslimane. Është rrenë nga më banalet se bartja e shamisë së vajzave muslimane është futje e ndonjë tradite të re tek shqiptarët. Nëse jo nënat, atëherë definitivisht gjyshet e partizanëve që marrin vendime kundër shkollimit të vajzave shqiptare muslimane kanë bartur shami në kokat e tyre. Kur çështja e shamisë u bë e madhe, pas protestave të qytetarëve të Kosovës, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për ta hequr barrën e përgjegjësisë nga vetvetja del me një tjetër fodullëk edhe më të madh. Në një debat në TV Klan Kosova, Nehat Mustafa zyrtar i MASHT-it sqaron se urdhri administrativ me ‘uniformë fetare’ nuk nënkupton ndalimin e bartjes së shamisë së vajzave muslimane në shkolla por bartjen e uniformës së hoxhës, priftit dhe rabinit. Libri i shenjtë i këtij të fundit e ka një thënie të mençur "Mund ta edukosh të marrin por nuk mund ta bësh kurrë të mendojë”. A ka menduar ndonjëherë para se ta lëshojë këtë margaritar z. Mustafa se çfarë marrëzie ka nxjerrë në publik? Sipas pohimit të këtij zyrtari të MASHT-it del se ndalohet që nxënësit dhe arsimtarët në shkollat publike të bartin veshjen e hoxhës, priftit, rabinit apo liderit hindus? Hajde mençuri hajde! A keni parë ndonjëherë në ndonjë vend të botës nxënëse vajza me uniformë hoxhe, apo arsimtare femra të veshura si rabin, ose drejtoresha shkolle të futur në kollare prifti? Unë jo dhe nëse z. Mustafa ka parë ndonjëherë në Kosovë diçka të tillë bën mirë të na tregojë sepse do të ishte një kuriozitet i rrallë ekzotik. Me gjasë në katundin e z. Mustafa, drejtori i shkollës qe veshur me mbështjellësen budiste, ose mësuesja e tij ia mësonte Abetaren me çallmën e hoxhës! Siç duket dikush në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk e lexon drejtë akronimin e institucionit ku punon por e kupton në ndonjë gjuhë tjetër duke e kthyer kështu në Ministri të Fantazive dhe Imagjinatës. Kë tentojnë ta mashtrojnë? Kaq të pamençur iu dukemi zyrtarëve tonë shtetërorë? Kjo është njësoj si të thuash se mbishkrimi "Ndalohet hyrja për të papunët” në ndonjë institucion shtetëror nënkupton ndalimin e hyrjes për jashtëtokësorët apo për të vdekurit, sepse fundja edhe të parët edhe të dytët janë të papunë. Çka mund të presim në vazhdim nga zyrtarë të tillë të cilët i kemi votuar e zgjedhur vetë! Të na tregojnë se urdhri "Ndalohet parkimi i veturave jozyrtare” në ndonjë parking nënkupton ndalimin e qilimave fluturues apo të raketave të jashtëtokësorëve? Nuk është për tu çuditur edhe nëse ndodhë! Laicizmi është keqkuptuar skajshmërisht kur tentohet që shamia të futet në kthetrat e tij. Një shtet sekular apo laik nuk nënkupton luftim të çfarëdo vlere fetare në kufijtë e tij por vetëm neutralitet dhe barazi të të gjitha besimeve fetare. Feja përherë ka qenë burim dhe brum i ngjarjeve më të rëndësishme në historinë shqiptare. Ndodhitë më të mëdha kanë qenë të bartura nga njerëz me virtyte dhe ndikime të qarta fetare dhe kjo as nuk e ka prishur ndonjëherë harmoninë fetare e as që ka pasur ndonjë ndikim të keq. Nëse laicizmi nënkupton flakje të gjithçkaje fetare nga shqiptarët atëherë historia jonë e kaluara dhe e tashmja ngelin lakuriq fare. Pjesa më e mirë e letërsisë klasike shqiptare duhet të ndalohet, njerëzit më eminentë të kulturës, politikës dhe përpjekjes shqiptare duhet përjashtuar dhe ngjarjet më frymëzuese duhet retushuar. A mund ta imagjinojmë dot kulturën dhe historinë shqiptare pa Sami Frashërin, Qerbelanë, Lulet e Verës, Mesharin, Fishtën, Ismail Qemalin, Haxhi Zekën, Lidhjen e Prizrenit apo Adem Jasharin! Në anën tjetër është hipokrizi mënyra se si është trajtuar veprimi i shtetit laik në Kosovë duke u nënkuptuar nga aparati shtetëror vetëm si luftë karshi shqiptarëve myslimanë. Nëse një vajzë myslimane nuk mundet të hyjë në shkollë me shami si ka mundësi që Gonxhe Bojaxhiu po me shami në kokë është prezente jo vetëm nëpër shkolla, libra zyrtare shkollore, zyre shtetërore por bile edhe rrënohen shkolla për tu ngritur shtatore të kësaj gruaje me kokën mbuluar. Zyrtarët shtetërorë bëjnë mirë që sa më parë të fillojnë të mendojnë për qytetarët që i kanë votuar si qytetarë të denjë me të drejta të mirëfillta sepse këta të fundit nuk janë aq foduj sa të besojnë në përjetësi përralla me magjistarë dhe kuaj fluturues. Sepse vetëm kur ta zbulojnë Gonxhe Bojaxhiun, kur ta rruajnë Sami Frashërin dhe kur të heqin gjithçka fetare nga Qerbelaja ose Lulet e Verës së Naim Frashërit, ne qytetarët e Kosovës do të pajtohemi me palaçot e Ministrive apo Komunave tona për të na kufizuar të drejtat njerëzore më elementare. Deri atëherë, mirupafshim në zgjedhjet e ardhshme! | |
|
Total comments: 0 | |