Welcome, Guest! Registration RSS

My site

Wednesday, 2024-11-27
Main » 2010 » June » 30 » EULEX-i me plan për pastrimin e qeverisjes nga korrupsioni
9:47 PM
EULEX-i me plan për pastrimin e qeverisjes nga korrupsioni

EULEX-it e ka hartuar një plan operacional për hetimet që po i bën në rastet e dyshuara për korrupsion dhe krim të organizuar.

Misioni i BE-së për sundimin e EULEX-it e ka hartuar një plan operacional për hetimet që po i bën në rastet e dyshuara për korrupsion dhe krim të organizuar, të cilin ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në EULEX, Johannes van Vreeswijk, do t’ia dorëzojë shumë shpejt kryeprokurorit kosovar Ismet Kabashi.

I pyetur se kur do t'i sjellin hetimet e EULEX-it arrestimet e paralajmëruara, Vreeswijk ka konfirmuar të martën ekzistimin e një plani për rrjedhën e tanishme të hetimeve. Krahas këtij plani, ai ka folur edhe për memorandumin politik për prokurorët, me emrin "Operacioni, pastrimi i tubave”, që është plan më gjithëpërfshirës me qëllim që deri në shtator të vitit 2011 Kosova të ketë një qeveri të pastër nga korrupsioni, një drejtësi ku kanë qasje të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, dhe një sektor privat pa ndërhyrje politike.

Prokurori më i përfolur në Kosovë ka rikonfirmuar se do të ketë arrestime, ndonëse ka thënë se qëllimi i tij dhe i EULEX-it nuk është që t`i fusë njerëzit në burg, por që t`u mundësojnë të dyshuarve gjykim të drejtë. Ai ka thënë se ka pasur tendenca të interferimit politik, mirëpo "askush nuk do të mund ta ndalë punën e tij”.

"Këtë mëngjes kam finalizuar planin operacional, të cilin do t’ia dërgoj edhe kolegut tim kryeprokurorit kosovar, Ismet Kabashi, pasi që kemi një sistem dualist vendor dhe ndërkombëtar”, ka thënë Van Vreeswijk, i pyetur se kur do të bëhen arrestimet që i ka paralajmëruar muaj më parë.

Prokurori holandez ka përsëritur se misioni i BE-së e ka një listë me zyrtarë të dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar.

"Zoti Kermabon ka aprovuar së fundi disa politika të reja penale për prokurorët e EULEX-it. Kjo politikë e vendos luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet kryesor në gjithë Kosovën. Korrupsioni nuk është vetëm në Prishtinë, nuk është vetëm në qeveri, është ndokund në komuna, në biznes në individë, nuk është diçka që lidhet vetëm me Qeverinë”, ka thënë Van Vreeswijk. "Ky operacion do të mundësojë që sistemi të udhëhiqet në mënyrën që duhet, pra të udhëhiqet nga njerëzit kompetentë, të cilët u shërbejnë qytetarëve. Rezultatet e operacionit do të fillojnë të shihen në korrik dhe do të përfundojnë në shtator të vitit 2011. Qëllimi i tij është që të kemi një qeveri dhe sektor privat të liruar nga korrupsioni, sepse kjo është ekonomi e lirë, por jo çdokush e kupton dhe disa e abuzojnë”, ka thënë Van Vreeswijk, duke paralajmëruar se aksione të reja do të shihen shumë shpejt.

"Do të kemi koordinim të të gjitha organeve të drejtësisë në Kosovë pra edhe atyre vendëse, do të kemi aksione të EULEX-it, një e kemi parë tashmë, të tjerë do të pasojnë, dhe qytetarët që do të kenë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e tyre në drejtësi, në qeverisje të duhur, dhe biznes të duhur privat në vitin 2011. Pra, ky është viti që duhet të shërbejë për të mbjellë dhe viti 2011 është viti kur do t`i vjelim frutat”, ka thënë prokurori holandez.

Plan i veprimit përfshin në vete edhe listën e emrave që janë nën hetime, si dhe masat që parashihet të ndërmerren.

"EULEX-i e ka listën dhe se ne do të zbatojmë këtë listë në afatin kohor që e thashë më herët, pra nga korriku deri në shtatorin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Vreeswijk.

Kjo listë ku ka persona që janë nën hetime, sipas tij, është shumë e gjatë, por ai nuk ka pranuar të flasë për numrin e saktë dhe nivelin apo pozitat e zyrtarëve që po hetohen.

"Është një listë e gjatë, aty përfshihen hetimet në gjithë Kosovën, përfshirë edhe Mitrovicën. Një pjesë ka të bëj me Qeverinë, një tjetër me bizneset e tjera”, ka thënë Van Vreeswijk.

Ai ka përjashtuar mundësinë që hetimet të godasin vetëm një parti politike, duke thënë se nuk ka parë ende ndonjë parti politike që nuk ka persona nën hetime.

Kryeprokurori i EULEX-it e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të bëjë veprime konkrete, të cilat do të dëshmonin se është e interesuar që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse një gjë e tillë nuk mund të bëhet vetëm nëpërmjet deklaratave.

Ai ka thënë se edhe EULEX-i duhet të gjykohet nga ajo që bën dhe nga ajo që do të rezultojë në fund, e jo nga deklaratat që po i bën. "Unë dua të jem i gjykuar nga veprat dhe rezultatet që do të kem. Të shohim një vlerësim për punën time, mund ta bëni në mars të vitit 2001 për shembull”, ka thënë Vreeswijk.

Edhe për Qeverisë e Kosovë ka thënë se ka disa detyra që mund të ndihmojnë në këtë proces.

"Që nga aksioni i fundit i EULEX-it shumë zyrtarë të ranguar lart kanë ardhur në zyrën time dhe kanë raportuar edhe më shumë për gjëra të njëjta, kjo nuk më bën të lumtur, por është mirë që ta di. Disa e kanë lënë këtë punë, dhe kjo është mirë”, ka thënë kryeprokurori, duke iu referuar bastisjeve në MTPT.

Ai nuk ka ngurruar edhe të konstatojë se është "i lodhur nga kjo formula ballkanike se gjërat nuk mund të bëhen”. "Kjo është diçka që mund të bëhet...Duhet ta marrin shembull Slloveninë”,ka thënë Vreeswijk.

"Populli nuk duhet të jetë pasiv dhe të shikojë se çka po ndodh. Ju duhet të jeni aktivë dhe të kërkoni të drejtat tuaja. Demokracia realizohet vetëm kur ushtroni të drejtët tuaja. Kjo do të thotë se nuk duhet që të qëndroni pranë njerëzve të korruptuar”, ka shtuar Vreeswijk.

Kryeprokurori ka pranuar se ka interferime politike pasi që, sipas tij, "është normale që njerëzit të influencojnë në diçka që nuk u konvenon.

"Përshtypja ime është që së paku në dy muajt e fundit nuk ka ndërhyrje të Qeverisë. Është mirë që të respektohen kompetencat dhe të lejohen njerëzit që të bëjnë punën e tyre, ka shumë njerëz që duan që të kenë qasje në të dhënat tona dhe të bëjnë gjykimet e tyre. Rasti i kryeparlamentarit Krasniqi është intervenimi i fundit i drejtpërdrejtë. Ka diplomaci, Kuinti, ka edhe faktorë të tjerë që duan ta thonë të veten. Unë mund të them se ne jemi të pandjeshëm nga interferimet politike”, ka thënë Vreeswijk.

Zotimin e tij për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e ka dhënë edhe kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, edhe pse në disa raste ka thënë se Prokuroria e Kosovës ende është në formim e sipër.

Në emër të Qeverisë së Kosovës ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, u ka dhënë mbështetje organeve të ndjekjes penale për veprimet e tyre në luftimin e dukurive negative./koha/

Category: Lajme | Views: 782 | Added by: bannqe | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *: