Welcome, Guest! Registration RSS

My site

Friday, 2024-03-29
Main » 2010 » July » 16 » Kreu kosovar konsultohet me ambasadorët e Quintit për hapat pas GJND-së
2:41 PM
Kreu kosovar konsultohet me ambasadorët e Quintit për hapat pas GJND-së

Prishtinë, 15 korrik – Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka qenë nikoqir i një takimi me ambasadorët e vendeve të Quintit, të enjten, për të diskutuar hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova pas daljes së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me opinion për ligjshmërinë e pavarësisë. 
Takimin e presidentit me ambasadorët e vendeve të Quintit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, e ka zbuluar për publikun, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por atë e kanë konfirmuar edhe zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, dhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi.
Lideri i AAK-së, Haradinaj, takimin, nikoqir i të cilit ka qenë presidenti Sejdiu, e ka bërë të ditur për publikun në formë ankese se si nuk ka iniciativë institucionale në Kosovë që për hapat kosovarë pas mendimit të GJND-së të diskutojë i gjithë spektri politik i vendit. "Sot është ftuar një takim urgjent midis presidentit, kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe ambasadorëve të caktuar. Por imagjinojeni në çfarë gjendjeje janë: nuk ka konsultë të brendshme midis spektrit politik se si të menaxhohet kjo situatë (mendimi i GJND-së v.j.) më pastaj”, është ankuar Haradinaj.
Ndërkohë i kontaktuar nga gazeta, zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, e ka konfirmuar për gazetën se të enjten Presidenca ka qenë nikoqire e një takimi të rëndësishëm. "Ka qenë një takim në kuadër të bashkëpunimit të rregullt që kanë institucionet e vendit me përfaqësuesit e vendeve mike që janë në Kosovë”, ka thënë Beqiri. Ai nuk ka dashur të jepte informacione se cila ishte temë diskutimi në takimin "e rregullt” me ambasadorët e vendeve të Quintit, të cilin Haradinaj e ka kualifikuar si "urgjent”. "Jo, jo nuk mund të flasë më shumë”, është shprehur Beqiri.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, e ka arsyetuar mosdhënien e informacioneve për takimin në të cilin ka marrë pjesë edhe shefi i tij me faktin që nikoqir i takimit ka qenë presidenti. Ai është shprehur i habitur se si një takim është bërë objekt i shqyrtimit të liderit të AAK-së. "Prej kur Ramushi qenka bërë zëdhënës i Presidentit?”, ka pyetur fillimisht Krasniqi. "E tëra që unë mund të them është se e di që ka pasur të mbahej një takim me ambasadorët, por personalisht nuk kam qenë në takim. Të sugjeroj që ta thërrasësh Presidencën, sepse realisht është e padrejtë që të flas unë për atë takim, meqenëse ai është mbajtur në Zyrën e presidentit. Po të ishte organizuar në konakun tonë, atëherë do të flisja unë”, ka thënë zëdhënësi i kryeministrit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka bërë të ditur të mërkurën se më 22 korrik do të bëjë publik opinionin këshillëdhënës në lidhje me atë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Sipas konfirmimit të GJND-së, një dëgjim publik do të zhvillohet të mërkurën më 22 korrik, në orën 15:00 gjatë të cilit mendimin do ta lexojë presidenti i GJND-së, Hisashi Owada. Rëndësinë e posedimit të strategjisë nga ana e palës kosovare e kanë ngritur më herët edhe njohës të ndryshëm të politikës, sikurse drejtori menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Publike, James Hooper, eksperti në fondacionin "Century”, Morton Abramovic, e të tjerë. "Do të ishte shumë e dobishme që kryeministri i Kosovës të hartonte një strategji para se Gjykata të deklaronte opinionin e saj dhe jo të presë deri pas këtij opinioni. Ata duhet ta bëjnë shumë të qartë se çfarë janë të gatshëm të bëjnë dhe çfarë nuk janë të gatshëm të bëjnë, në mënyrë që Kosova jo thjesht të reagojë ndaj të tjerëve, por të ketë një qëndrim aktiv vetë. Ata duhet të vazhdojnë përpjekjet që të sigurojnë njohje të tjera menjëherë”, kishte thënë Hooper. "Ata duhet të dërgojnë njerëz në vende të ndryshme dhe, si të thuash, të mos lejojnë të kthehen derisa t’u garantohen disa dhjetëra njohje të tjera. Pra, duhet të kenë një strategji për të siguruar më shumë njohje...”.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se pas opinionit të GJND-së "pala kosovare strategji uniforme nuk ka, por ka modalitete në mënyra të përpunuara”. "Si MPJ jemi të përgatitur që të japim reagimin tonë në çfarëdo situate. Sa për strategjinë: unë vërej që shumë flitet për strategji dhe pa asnjë hezitim e them që nuk ka një strategji uniforme, se si do të sillemi në një situatë të caktuar, sepse s’mund të ketë. Gjithsesi ka modalitete në mënyra të përpunuara se si do t’i qasemi kësaj problematike, në situata të ndryshme”, ka thënë Hyseni.
Category: Lajme | Views: 777 | Added by: bannqe | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *: